Tetor 2004

Libër i admirueshëm, 
“ Mirash Ivanaj, personalitet i shquar i universit shqiptar “

Nga Pertefe Leka
Dr. Iljaz Gogaj i ka dhënë përmasat e universit figurës së shquar të Prof. Dr. Mirash Ivanaj, duke pasur si forcë tërheqëse deklaratën e tij të shpallur: “Dashunia e eme ka kenë dhe asht me i shërbye me cfaredo mënyre Atdheut, për të mirën e të cilit nuk paraqes as do të paraqes kondita.”

Nisur nga kjo sentencë e fuqishme, autori i librit ka kurorëzuar me sukses punën disavjecare në hulumtimin e figurës së ndritur të M. Ivanajt si njeri në radhë të parë dhe pastaj në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij.

I ulur prej vitesh ne dosjet e sekuestruara të familjes Ivanaj në Arkivin e Shtetit, autori ka kërkuar me ngulm të dokumentojë dhe të argumentojë figurën shumeplanëshe të njeriut më të ditur të arsimit dhe të drejtësisë shqiptare që kohërat rrallë mund ta sjellin.

Materiali arkivor dhe bibliografik të cilin autori e ka shfrytëzuar  me shumë  profesionalizëm, zbulon ngjarje, fakte, personalitete dhe njerëz të thjeshtë që e plotësojne më së miri figurën e Ivanajt në zhvillimin e përparimin e shkollës dhe arsimit shqiptar në vitet  20-30.

Dr. Iljaz Gogaj është autor i shumë artikujve, ligjëratave dhe i tetë librave që hedhin dritë në historinë e arsimit shqiptar dhe të mendimit pedagogjik, sipas etapave të caktuara. Veprës në fjalë i ka kushtuar shumë kohë, por e botoi në kohën e duhur kur Shqiptarëve u duhen shëmbuj të tillë. E ka nisur studimin, atëhere kur ishte i ndaluar të përmëndej emri i M.Ivanajt dhe ka vazhduar duke kërkuar ditaret e ish nxënësve të tij, nga të njohurit e familjes Ivanaj, nga bashkëvuajtësit në burgjet e diktaturës, prej bisedave gojore në Tuz, nga të afërmit e familjes dhe kohët e fundit shënimet që ka lënë Skënder Luarasi të publikuara nga i biri, Petro Luarasi. Gjate këtyre viteve, pas 1990, nuk kanë munguar artikujt për M. Ivanajn, me autor dhe studiues të ndryshëm. Të gjitha këto shkrime ruajnë origjinalitetin sipas rrethanave që e kanë njohur M.Ivanajn ose sipas këndvështrimit që ata kanë pasur për qëllim ta paraqesin.

Kumtesat e shumta, në konferencat shkencore kushtuar figurës së Prof. Dr. M.Ivanaj, janë shkruar dhe ligjëruar nga studiues kompetentë dhe secila ka një tematikë të vecantë. Së shpejti, këto do të shohin dritën e botimit, sepse janë me vlerë për vërtetësinë e mendimit. Vepra më e plotë që përmbledh të gjitha etapat historike të jetes së M.Ivanajt, është vepra në fjale, ku nëpërmjet një dokumentacioni të pasur, autori ka zbuluar shpirtin fisnik të atdhetarit M. Ivanajt, duke e ngritur në madhështinë e gjithësisë.

Përmbajtja e librit fillon me disa të dhëna historike të familjes Ivanaj. Megjithëse në libër nuk është publikuar faksimile e pemës gjenealogjike të Ivanajve e cila daton pas viteve 1444, autori ka paraqitur mjaft të dhëna për paraardhësit. Vëllezërit Doda dhe Leka (babai dhe xhaxhai i Mirashit), përmënden edhe sot ne Triesh për trimërine dhe guximin e tyre. I ati, Doda, ishte dënuar tre here me vdekje nga pushtuesit sepse  kontribuoi për qeverisjen popullore të krahinës.

Struktura e librit me kapitujt e shumtë që organizojnë lëndën në mënyrë kronologjike, e japin mjaft të detajuar monografinë e M.Ivanajt, por merita e autorit është se ka zbuluar fusha studimi edhe për të tjerë hulumtues. Pas përshkrimit gjeografik të krahinës ku u lind dhe u rrit Mirashi, autori fillon menjiherë me vitet e rinisë të të dy vëllezërve Martin e Mirash, pasi shkollimin e bënë së bashku, ku u dalluan si nxëneës të shkëlqyer në mësime por edhe me prirje letrare. Matura e Mirashit me rezultate te shkëlqyera, vazhdon me dy laurat që mori në fakultetin e letërsisë dhe të drejtësisë në Universitetin Mbretëror të Romës. Aty bën emër dhe i hapen vende pune prej meritave që kishte, por ai ishte i vendosur të punonte në atdhe, se “Atje jam i dobishëm”.

Nje kapitull i kushtohet periudhës kur ai drejtonte gazetën “Republika” duke qënë njëkohësisht edhe autor i shumë artikujve problemor të kohës. Si ithtar i republikanit italian Mazzini, Ivanaj e shikonte republikën si të vetmen trajtë ligjore dhe logjike për të qeverisur. Prandaj jo rastësisht ai vendosi në programin politik të gazetës së tij, kërkesën për shkollimin e popullit shqiptar, “tue marrë parasysh të përvajtueshmen trindamje fetare të Shqiperisë, vetëm nji shkollë e vetme për të gjithë shqiptarët do të siguronte njësinë kombëtare”. Gazeta “Republika” në drejtim të qeverisjes së shtetit, u tregua e rreptë për të krijuar një stabilitet politik sipas ideve republikane që shteti të operonte me ligje të forta dhe të qëndrueshme ndaj kohës.

Autori Gogaj, nuk ka dhënë shumë hollësira lidhur me krijimtarinë letrare të vëllezërve Ivanaj, pasi janë shkruar në sërbokroatisht dhe mbajnë firmën e dy vëllezërve. Për këtë I.Gogaj, i referohet librit të Lazër Radit “Martin e Mirash  Ivanaj, Epopeja e Njeriut” të cilat L.Radi, disa nga poezitë e shkruara prej tyre i ka përkthyer në gjuhën shqipe. Po këto poezi janë përkthyer edhe në anglisht nga të tjerë  përkthyes. Autori në këtë pikë hap një dritare tjetër studimi për ata që mund të marrin përsipër përkthimin dhe komentin e tyre. Për të interesuarit, poezitë të marrura nga origjinali  gjënden  të ruajtura  nga mbesa e tij, Drita  Ivanaj.

Kapitulli me interesant në libër është, M. Ivanaj, drejtor ne Gjimnazin e Shtetit ne Shkoder (1925). Në fillim mësues e pastaj drejtor, ai transformoi nga themelet gjithë strukturën e shkollës në funksion të përmbajtjes së mësimit dhe të edukimit. Gjithashtu, shumë shpejt arriti ta kthente shkollën në një vatër marrëdhëniesh harmonike të ndërsjella, midis nxënësve të besimeve të ndryshme fetare. Shkolla sipas M.Ivanajt, duhet të përgatiste qytetarë të devotshëm shqiptarë me mendim të njësuar nacional. Ai vetë nuk ishte kunder fesë, ai ishte katolik që frekuentonte kishën me besim të palëkundur te Zoti. Ai respektonte edhe besimet e tjera fetare; kështu në mëndësinë e qytetarëve shkodranë u krijua bindja se në shkollën e Ivanajt, nxënësit nuk prisheshin nga feja dhe nga morali. Nga kjo prindërit katolikë i dërgonin pa rezerva dhe me besim të plotë fëmijët e tyre në Gjimnazin e Shtetit dhe po ashtu prindërit myslimanë te drejtori i shkollës që ishte katolik.

Megjithëse punën e vazhdoi me programet mësimore të gjimnazeve franceze të pranuara në Kongresin e Arsimor në 1922, Ivanaj kishte vërejtje në zbatimin e tyre, prandaj me nje përkushtim sic dinte të punonte Ai, arriti të realizonte formimin kombëtar të nxënësve si nga ana pedagogjike ashtu edhe nga ana shkencore e kulturore.
Fotografia që është publikuar në liber, matura e pare e Gjimnazit te Shkodrës, ka vlera historike, sepse kjo shkollë filloi të gjenerojë mësues të aftë, të cilët i pasuan në breza mësimet e të urtit Mirash, (6 maturantët e parë të gjimnazit të Shkodrës, Qamil Golemi, Jahja Domnori, Refik Shpuza, Rexhep Bërdica, Xhemal Lopci dhe Ahmet Ashikja, ku në mes tyre qëndron hijerënde drejtori, M.Ivanaj). Ai vete shprehet entuziast “…për herë të parë bahet në Shqipëni në gjuhën shqipe e në gjimnaz shtetnuer, provimi i maturës së gjimnazit të naltë. Të jetë fatlume e me fillim të mbarë ky hap, me të cilin fillon indipendenca edhe në fushën arsimore të kombit Shqiptar.”

Shumë nxënës të  këtij gjimnazi kanë lënë shënime me vlerë, një pjesë e tyre jane cituar në libër, por autori i ka dhënë  shtytje  studimit, duke hapur  shtigje  për historianë dhe interpretues të fakteve historike. Me interes janë  shënimet në fletoret e historisë të mbajtura në orën e mësimit të Ivanajt, prej nxënësve Qamil Golemi   në Shkodër dhe Zarifi Shehu në Tiranë, të dy mësues të nderuar. Ato ruhen edhe sot ne familjen Golemi e Shehu dhe kane vlera historike, patriotike, metodiko-pedagogjike. Ato ruajnë pastërtinë dhe njohjen aq të madhe e të saktë të vlerave të kombit.

Nxënësit e gjimnazit i pasuan mësimet e Ivanajt në kohën e duhur. Në demonstratën e 28 Nëntorit 1927, dolën në qëndër të qytetit për të bërë presion për heqjen e flamurit italian që ishte vënë në të djathtë të flamurit shqiptar në Banken e Shtetit në Shkodër. Policia arrestoi studentët, Jahja Domnori, Jup Kazazi, Agustin Shestani… të cilët po tentonin ta hiqnin flamurin me force. Për këtë akt, Jakov Milaj shkruante në kujtimet e veta: “kur policia njoftoi drejtorin që të merrte masa ndalimi, drejtori i thirri nxënësit duke u thënë me fjale të buta – ju tani jeni të rritur dhe e kuptoni vetë të mirën dhe të keqen e atdheut, unë ju këshilloj që të shikoni mësimet, ju e dini vetë si të veproni-“. Këto fjalë shkruan Milaj na u dukën më shumë se aprovim.

Mirash Ivanaj i jepte rëndësi të vecantë veprimtarive argëtuese, sportive, artistike e kulturore jashtë shkollore. Për këtë ai u bë vetë nismëtar i themelimit të shoqatës së njohur “Besa Shqiptare” me nxënësit e gjimnazit të shtetit në Shkodër. Nevoja e afrimit, e vëllazërimit të gjithanshëm të nxënësve që vinin nga gjithë krahinat e Shqipërisë, nga Dibra e Kosova, nga Ulqini e Cameria, ishin  në qëndër të vëmëndjes së tij.

Të dhënat gojore të profesor Irfan Tërshanes 100 vjecar, mësues fizkulture, mik dhe bashkëpuntor i M.Ivanajt, dëshmojnë për punën e madhe që ështe bërë në atë periudhë, për ngritjen e këndeve sportive, jo vetëm me fondet e shtetit por kur ato mungonin,  bëheshin me shpenzimet e  Ivanajt, vetëm e vetëm që të tërhiqte sa më shumë nxënës në gjimnazin e shtetit për të konkuruar shkollat e tjera private që nuk zbatonin programin shtetëror. Këte e bëri edhe kur ishte ministër, kur themeloi Federatën Kombëtare të quajtur “Vllaznia Shqiptare” qëllimi i së cilës ishte që të bashkonte rininë shqiptare në një njësi solide kombëtare në përballje me cdo rrezik të huaj.

Në drejtim të muzikës, kërkoi të krijohej kori i shkollës dhe një fanfarë e vogël. Për nxënësit, rekomandonte leximet jashtëshkollore që të zgjëronin horizontin e tyre kulturor dhe shpesh u ofronte libra nga biblioteka personale e cila mbahej ndër më të mëdhatë e kohës (16000 tituj) por insistonte në përkthimet e Nolit dhe të S.Luarasit nga letërsia klasike botërore. I jepte rëndësi kulturës popullore, kërkonte nga mësuesit të punonin për mbledhjen e folklorit dhe për t’i kënaqur ata, merrte përsipër që t’ua botonte materialet e mbledhura. Po aq rëndësi i kushtoi kulturës materiale të lashtësise ku ngarkoi mësues pasionantë që të interesoheshin për gërmimet që bëheshin nga të huajt në Butrint dhe Apolloni. Kështu, figura e Ivanajt vjen duke u plotësuar në libër dhe bëhet më e besueshme nga lidhjet e ndërsjella me dhjetra mësues të arsimit kombëtar, studiues dhe intelektual të shquar: të mirënjohurit Aleksandër Xhuvani e Mati Logoreci, Safet Butka e Hilë Mosi, Anton Deda e Gjergj Kokoshi; gazetarët Xhevat Kallajxhi e Nebil Cika; arkitekti i dëgjuar Qemal Butka; bashkëvuajtësit Mitrush Kuteli, Jakov Milaj dhe miku i ngushtë Demir Vila. Autori, ka lënë hapësirë studimi edhe në lidhjet e Ivanajt me Branko Merxhanin me të cilin bëri rrugën e mërgimit në Turqi, sepse të dy bashkë kanë vënë bazat e filozofisë shqiptare.

Ai që e plotëson më mirë figurën e tij, është i vëllai Martini, më i madh në moshë, të cilit autori i ka caktuar një faqe të vecantë, “Martini, vëllai, miku dhe shoku”. Me qëllim autori e ka dhënë shkurt, sepse për figurën e Martinit po përgatitet një studim i vecantë për të publikuar kontributin e tij në fushën e jurisprudencës dhe në studimin e kanunit të Lekë Dukagjinit. Si avokat, si anëtar i Gjyqit të Diktimit, si anëtar i Këshillit të Shtetit, Martin Ivanaj u njoh si interpretues dhe zbatues korrekt i ligjeve të shtetit, ne emer të drejtësisë.

Nje vënd të merituar i ka caktuar autori edhe mbesës së Mirash Ivanajt, Dritës, vajza e Martinit. Ajo është e vetmja trashëgimtare e kësaj familje që trashëgon cilësite më të mira të prindërve të saj. Si vazhduese e denjë e kësaj familje, ajo e mbajti me krenari emrin e saj, Drita, për të ndricuar dhe për të realizuar mesazhet që lanë etërit e saj për përparimin e kombit shqiptar. Përpjekjet e saj për të krijuar dy fondacionet në NewYork e në Tiranë, janë dëshmi e gjallë e këtij misioni. Autori vetë e ka theksuar në faqen e parë të librit, se është ndihma bujare e fondacionit “M.& M. Ivanaj” në New York e Tiranë dhe e Rrok & Vitore Ujka në Detroit, që e mundësuan botimin e librit.

Kapitulli më i rëndesishëm që paraqet një arritje kulmore në jetën e Ivanajt, është vendosja e tij ne Tiranë në fillim si mësues dhe më pas në postin e Ministrit të Arsimit e  të Kryetarit të Këshillit të Shtetit, që e bënë të njohur jo për postin e lartë që pati në Mbretërinë e Zogut, por për reformat rrënjësore që solli në strukturën e arsimit.

E pranoi postin e ministrit për hirë të interesave kombëtare, sepse bindjet e veta si republikan binin ndesh me ato te mbretërisë. Mbreti Zog ishte i zgjuar që zgjodhi kundërshtarin e vet në poste të rëndësishme, Ai e dinte se sa i qetë do të ishte kur në qeverisje do të kishte njerëz të zotë e të pakomprometuar si Ivanaj.

Telegramet e shumta që erdhën nga Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, nga diaspora dhe studentë shqiptarë jashtë shtetit, tregojnë se sa mirë u prit ardhja e Ivanajt në kreun e shtetit shqiptar.

Gazeta e Korcës shkruante për M. Ivanajn “Një vullnet i patundur, vullnet gjermani, një zell për punë i pakufizuar, zell amerikani, një mënyre sjellje ndaj inferiorëve krejt demokratike, demokraci franceze, një gjakftohtësi tërheqëse që gëzon simpati, gjakftohtësi angleze dhe së fundi, entuziazëm optimist që s’gabon kurrë në drejtim, entuziazëm italiani” Prof. Ahmet Gashi, mësuesi i respektuar  kosovar, në telegramin e përshëndetjes shkruante: Arsimi Kombëtar në personin tuaj gjeti prijësin e vërtetë.
Tërë kapacitetin e tij intelektual e vuri në dobi të reformës arsimore. Reforma nuk konsiston vetëm në mbylljen e shkollave private, por në tërë hallkat e arsimit. Ai kishte bërë një studim analitik të arsimit në Shqipëri dhe për të gjitha shkollat private, të cilave ua kërkoi me të madhe realizimin e  programit shtetëror dhe krahas tij të zbatonin programet e tyre të vecanta. Kur nuk gjeti përkrahje për këtë, atëhere vendosi suprimimin e tyre.

Të gjitha tezat e Reformës që shtroi Ivanaj përpara Parlamentit Shqiptar, ishin të studiuara e të argumentuara. Ato gjetën miratim të pakundërshtueshëm. Miku i tij Demir Vila, nenet e reja që zunë vend në Statutin Themeltar të Mbreterisë i quajti  “Diamante të shkëlqyera”, “Drita të pashueme”, të cilat do t’i tregojnë bijve të Shqipërisë, udhën e vërtetë për prosperitetin e atdheut.

Tezat kryesore përfshinin: suprimimin e shkollave fillore e të mesme, private e të huaja, vlerësimin e mësuesve dhe qëndrimin ndaj tyre, disiplina e nxënësve, buxheti i arsimit dhe baza materiale, kriteret e reja të planifikimit dhe të shpërndarjes së bursave të studimit, cështje të metodës dhe dokumentacionit shkollor, drejtime të reja për kulturën dhe artin, higjena me kërkesa rigoroze për pastërtinë dhe ruajtjen e shëndetit.

Gazeta “Demokracia” e Xhevat Kallajxhiut ne Gjirokastër, në ekstremin jugor, shprehet me entuziazëm për reformat ku ajo shkruante: se vetëm shkolla e shtetit qëndron mbi fete dhe krijon vëllazërim, mbi të cilin do të ngrihet Shqipëria. Ndërsa pak më tutje, Athina nuk u pajtua me shtetëzimin e shkollave, sepse u mbyllën portat e ndërhyrjes së propagandas greke. Ajo e ngriti çështjen në Lidhjen e Kombeve, duke shtruar në peticion edhe probleme që s’kishin lidhje me shkollat e minoritetit. Ato arritën deri aty sa të diskutonin çlirimin e Vorioepirit edhe me armë  (shoqata e Andarteve 18.2.34). Përfaqësuesi i palës shqiptare në Gjenevë Mehdi Frashëri, i hodhi poshtë pretendimet e palës greke, por Lidhja e Kombeve plotësoi kërkesat greke për riçeljen e shkollave private të minoritetit grek në Shqipëri dhe nuk pyeti për shkollimin në gjuhën amtare të popullsisë shqiptare në Kosovë e Çameri. Edhe për ankesat e klerit katolik në Shkodër Ivanaj dha këtë përgjigje: “prindërit katolikë nuk kishin bërë ndonjë ankesë ose kërkese qeverisë, por me zell të madh kanë vazhdue me dërgue fëmijet e tyne në shkollat shtetnore. Vetë deputetët katolikë e kishin miratue reformën.”

Nga të prekurit e tjerë të reformës ishin Harri Fulci dhe vetë Kryqi i Kuq i Rinisë Amerikane, por ato e pritën me gjakftohtësi dhe nuk bënë asnjë reagim publik. Kjo ishte një dëshmi e qartë se aktiviteti i tyre nuk kishte qëllime politike apo diversioniste kundrejt ndërgjegjes, kulturës dhe interesave kombëtare shqiptare. Për këtë Ivanaj ishte i ndërgjegjshem, por ligji duhej zbatuar, kurse në gjyqin komunist atë e akuzuan si pro amerikan…

Qeveria italiane shfaqi pakënaqësi në të gjitha rrafshet, sepse kufizohej ndikimi i gjuhës, i kulturës, i fesë që ishin mbështetje e politikës italiane në Shqipëri.

Dorëheqja e ministrit nuk vonoi. Karakteri i tij i fortë, që t’i çonte punët gjer në fund, nuk mund të pranonte ndërhyrje në udhën e realizimit të reformave. Të gjitha letrat që i erdhën M. Ivanajt pas dorëheqjes, nga personalitete dhe njerëz të thjeshtë, tregonin solidarizimin e tyre me ministrin reformator, idetë e të cilit do t’i rezistonin kohës. Kjo ishte vepra më e madhe e Ivanajt, ku provoi aftësitë e rralla për kulturën e gjerë, logjikën e shëndoshë, tejpamësine e mendimit dhe vullnetin e papërkulur.
Nuk kthehet më koha e Ivanajt ishte opinioni i 90% te arsimtarëve, shkruanin gazetat e kohës. Artistja e madhe Marie Kraja, mësuese në kohën e Ivanajt, theksonte punën e madhe të reformës për emancipimin e gruas e të vajzave shqiptare. Vetë Instituti “ Nana Mbretëreshë “ është provë që nxori disa gjenerata mësuesesh dhe kuadro femra.

M. Ivanaj ishte i pari ministër që kërkoi dhe argumentoi nevojën e uniformës me siglën dalluese për shkollat e mesme.

Megjithë doreheqjen e Ivanajt si ministër i arsimit, Mbreti Zog e vlerësonte punën e tij dhe nuk mund ta linte atë pa e perfshirë në forumet me të larta të shtetit shqiptar. Mbreti vetë i kishte akorduar dekoratën me të lartë “Kumandar i Urdhrit të Skenderbeut”.

Përsëri Mbreti propozoi dhe e emëroi Kryetar të Këshillit të Shtetit, pasi Ivanaj ishte dhe jurist i diplomuar. Këshilli i Shtetit si organ konsultativ dhe jo politik, luante rol në konsolidimin juridik të shtetit ligjor shqiptar. Edhe si Kryetar i Këshillit të Shtetit, tregoi cilësite e juristit shembullor. Aty mori përsipër të realizonte botimin e të gjithë legjislacionit shqiptar që nga periudha e pavarësisë 1912-1937, packa se koha nuk i premtoi realizimin e plotë, sepse viti 1939, shkatërroi ëndërrat e gjithë shqiptarëve.

Përfshirja e Ivanajt në valën e protestave së bashku me Qemal Butkën, kërkesa e tyre për t’u armatosur në luftën kundër fashizmit, janë dhënë me detaje në ditarin e M. Ivanajt ku ndër të tjera vlerësonte prijësin e demonstratave Safet Butka në krye të nxënësve të shkollave të mesme. Kjo dite e zezë për Shqipërine, ia nxiu jetën edhe Ivanajt. Ai me shume intelektuale të tjerë morën rrugën e mërgimit.

Pjesa më e dhimbshme në libër, është atëhere kur autori përshkruan jetën e azilantit, vdekjen e të vëllait, Martinit, pastaj kthimin e tij në atdhe me mendimin se Shqipëria pas luftës duhej të rimëkëmbej. Është interesante në libër përshkrimi i dialogut me Enver Hoxhen, i cili e priti mirë në zyrën e tij, por pastaj……!!! Asnjëherë s’e kishte menduar hakmarrjen e diktatorit Hoxha, sepse kur ishte ministër, me të drejtë ia preu bursën te cilën ai e kishte tërhequr në vite, pa dhënë asnjë provim. Mirash Ivanaj pas luftës, kishte mundësi të shkonte përsëri në Itali ku e prisnin punë të mira tek ata që i njihnin aftësite e tija, por duhet të provonte arrestimin, burgun, torturat dhe vdekjen në burg. Ky fund tragjik ia mbylli jetën Mirash Ivanajt, por jo emrin dhe lavdinë e tij. Kujtesa Kombëtare shkruan autori, nuk e shleu kurrë nga mëndja, sepse ai ishte shndërruar që me ngjallje, në simbol të vlerave më të qënësishme, që e bëjnë të pavdekëshme një figurë të kombit me përmasa të tilla.

Në fund të librit, autori ka bërë përshkrimin fizik e moral të Mirash Ivanajt, personazhit të tij të adhuruar. Në këtë konkluzion autori ka arritur, duke pasur parasysh të gjitha vlerësimet nga letrat, telegramet, artikujt, të dhënat gojore dhe  rapsodia shkruar për të; po ashtu nga fjalimet në parlament, nga dialogu me Mbretin dhe dialogu me diktatorin. Por mbi të gjitha i ka shërbyer letërkëmbimi me të vellanë Martinin. Vetëm viti 1925-26 përfshin 1004 faqe letra të shkruara midis vëllezërve dhe këto jo thjeshtë për problemet e tyre personale, por për shqetësimet e vendit dhe të popullit shqiptar. Në këtë rrezatim të gjërë dokumentar, autori ka shkrirë dhe emocionet e veta, duke e ngritur figurën e adhuruar të Ivanajt në piedestalin e nderit të tij. Me atë përshkrim, cdo artist mund ta marri për bazë për të gdhendur në gurë Monumentin e Pavdekësisë së M.Ivanajt, i cili do t’u flase brezave në përjetësi. Autori shkruan: midis jëtëve të bukura të njerëzve të shquar, është për t’u pasur zili ajo e Mirash Ivanajt, në të cilin përqëndrimi absolut në nje ide, bëhet një zjarr ku flakëron individualiteti i tij.

Libri nuk ka vetëm vlera njohëse historike, por ka vlera që të nxisin për veprime pozitive. Libri është i vlefshëm për të gjithë, por në veçanti i shërben një mësuesi, një studenti, një linguisti a sociologu, një shtetari a politikani, një gazetari a një poeti, një drejtori a menaxheri. Mesazhi, është thirrja për bashkim i gjithë shqiptarëve kudo që janë, që të punojnë për Shqipërinë dhe për ardhmërinë e brezave.

Ndërsa mesazhi i vecantë i autorit është: “Të gjithë ata që duan të vihen në krye të popullit, që duan të udhëheqin atë në shtigje të reja, që duan me të vërtetë që dicka të bëjnë për përparimin e vendit, nuk duhet të harrojnë se këto punë kërkojnë cilësi të rralla, si ato të Ivanajt.”