Të nderuar miq po ju flas pak fjalë rreth njohjes time me Dritës IVANAJ.

Duke dëgjuar zërin e Amerikës, viti 1975 ndërmjet të tjerave spikati intervista e Drita Ivanajt, e cila prononcohej për të bërë lidhjen e Universitetin të Tiranës e Prishtinës me Universitetin e Kolumbias në NY ku ajo punonte si drejtuese e sistemit kompjuterik.

Im atë si adhurues i prof. Mirash Ivanaj, dhe i tërhequr nga projekti i mirëmenduar që paraqiti Drita, më tha me bindje të plotë: “ Se kjo është mbesa e zotni Mirashit”.

Në nëntor të vitit 1992, mora një ftesë me rastin e 70-vjetorit të hapjes së Gjimnazit të Shtetit në Shkodër (1922-1992), në këtë ceremoni bëhej edhe ndarja e dekoratave “ Martir i Demokracisë”. Të gjithë të pranishmit kishin në dorë ftesën,  ku ishte shkruar një shprehje e Prof. Mirashit : “Për herë të parë bahet në gjuhën shqipe e në gjimnaz shtetnuer provimi i maturës së gjimnazit të ngaltë”. Ishte një moment i dhimbshëm, kur u thirr emri i themeluesit të Gjimnazit dhe askush nuk u paraqit të merrte dekoratën e tij.

Kjo më nxiti të vihem në kërkim të Dritës, sapo m’u dha rasti të shkoja në Amerikë. Në sajë të kunatit tim, Dr. Agim Leka arrita të kontaktoj me Dritën dhe e ftova të vinte në Shqipëri në shtëpinë time.

Në maj të vitit 1993, Drita erdhi në Tiranë. Ishte moment prekës, kur ajo zbriti shkallët e avionit, ra në gjunjë, puthi tokën e dëshiruar prej 54 vitesh dhe u ngrit me krenari, sikur donte të transmetonte një mesazh të ngrohtë shpirtëror prindërve të saj se tani unë jam këtu, (për t’i shërbyer vendit tim).

Nëse të parët e Ivanajve nga Trieshi i Malësisë së Madhe, lanë gjurmë në histori si luftëtarë dhe pjesëmarrës në Lidhjen Kombëtare të Prizerenit, vëllezërit Martin e Mirash e kërkuan armën e tyne për liri e pavarësi, nëpërmjet shkollimit, ku arritën deri në “La Sapienza” të Romës të suksesshëm në Jurisprudence, Letra e Filozofi.

Të pajisur me erudicion enciklopedik, me ide të sistemuara se ku mund të jepnin kontributin e tyre, me një inventar të organizuar diturish, bënë punë të mëdha në dy prioritete kryesore: arsimi dhe drejtësia.  Duke qënë besnikë në detyrën e madhe të punës dhe kreativ, e kthyen jetën e tyre në vepër arti. Organizimi i gjimnazit të shtetit në Shkodër dhe reforma arsimore nga Prof. Mirashi, në të cilën kërkonte vetëm shkolla shtetërore pa influenca të huaja por duke zbatuar programet e shkollave më të përparuara të botës dhe me gjuhë të huaja të detyruara, duke i dhënë popullaritet veprës së tij që edhe sot nuk mund të shlyhet nga kujtesa e brezave. Në mbarim të maturës së parë ai shprehet: “Të jemi fatlum dhe me fillim të mbarë, ky hap në të cilin fillon indipendenca edhe në fushën arsimore”.

Rishikimi dhe përpunimi i Kodit Civil dhe Penal nga Dr. Martini apo studimi shkencor i tezës së Laurës nga ai për të Drejtën Dokësore (Doket) nga Kanuni i Maleve, ruan edhe sot vlera të mirëfillta shkencore.

Ata gërshetuan idetë e Iluminizmit dhe të Rilindjes Evropiane me idetë e rilindësve tanë.

Ishin ithtarë të Giuseppe Maxini-t pra me bindje Maxiniane, Garibaldine në aksionet e tyre, ku i shprehen idetë në gazetën “Republika” të themeluar prej tyre dhe Nikolle Ivanajt me artikuj dhe me një program të qartë politik. Por kurrë nuk u morën me politikë. Në të vërtet arritën në postë të larta shtetërore, Minister Arsimi, Kryetar i Këshillit të Shtetit Prof. Mirashi; Kryetar i Kasacionit, Dr. Martini. Por siç deklaronte Prof. Mirashi kur ishte në izolim: Në qeverinë e Zogut kam qënë vetëm Ministër teknik dhe nuk kam marr pjesë në asnjë organizate politike brenda dhe jashtë Atdheut. Jam këtu për t’i shërbyer vendit tim pa asnjë konditë.”

Drita ka trashëguar këto ide dhe vlera, antikonformiste duke mos imponuar vullnetin tek të tjerët, vetëm duke respektuar ligjin. Për këtë Drita, që kur erdhi në Shqipëri për të zgjidhur problemet saj kërkonte vetëm në rruge ligjore. Ajo u ndesh me pengesa burokratike të pa parashikuara prej saj, por kurrë nuk u tërhoq duke pritur në disa 10-vjecar zgjidhjen e tyre. Me durimin që e karakterizonte, arriti të tejkalonte disa nga këto pengesa, për të realizuar veprën e saj. Edukimin  Drita e fillon këtu, në këtë familje, e vazhdoi në Itali e më pas në Amerikë duke pasur pranë nënën e saj znj. Giuseppina Poglioti IVANAJ, e cila me urtësinë dhe kulturën e saj pedagogjike i la amanet së bijës ditarin e këshillave të vyera. Ndaj Drita e përmend kur ndodhet përpara vështirësive: “Do të konsultohem me prindërit”.

Tani e rrethuar nga një familje e madhe, Drita mund ta shfletojë atë ditarë dhe t’i transmetojë urtësisht këshillat proverbiale, të cilat e kanë drejtuar në jetë.

Në përfytyrimin tim, Drita është një personalitet, ku janë gërshetuar karakteri i forte malësor, kultura dhe finesa italiane, si dhe prakticiteti amerikan.  Dy fondacionet janë vepër titanike vetëm e Dritës. Ajo dha gjithçka nga vetja, nga ana shpirtërore, profesionale, materiale, monetare për rininë shqiptare.

Si shembull i punës, i virtytit, i korrektësisë, i kreativitetit, Drita meriton mirënjohje të thellë.

PERTEFE LEKA

Zv. Presidente

M & M Ivanaj Foundation Institut

Tiranë

10 tetor 2017

 

Kthehuni te: Përurimi i Qendrës Kulturore