Fjalimi i Drita Ivanaj – 10 Tetor, 2017

KA  QENË  NJË  UDHËTHIM  I  GJATË DERI NE KËTË MOMENT!  MË NË FUND JAM NË SHTEPINË TIME!

Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq dhe të ftuar:

Është kënaqësi  e veçantë që ju mirëpres të gjithëve këtë mbrëmje, në hapjen zyrtare të Fondacioneve Ivanaj dhe Qendrës Kulturore të ndërtuar këtu në Tiranë, mbi tokën e vëllezërve Ivanaj, Martin dhe Mirash, e cila ka qenë në pronësi te tyre që prej 80 vjetësh, pra që nga fillimet e Tiranës së Re.

Pas okupimit të Rezidencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe si pasojë e izolimit shumëvjeçar të Shqipërisë nga Bota Perëndimore, u detyrova të jetoja jashtë vendit; kurrë nuk e kisha imagjinuar që një ditë do të arrija te kthehesha këtu, dhe të shihja përsëri shtëpinë time, në të cilën, në moshën 5 vjeç e gjysme, pashë për herë të fundit babain tim Martin dhe xhaxhain Mirash teksa largoheshin, për mos u kthyer më kurrë.

Gjysmë shekulli më vonë, një nga ëndrrat e mia për të vizituar Tiranën, u realizua kur më në fund arrita të kthehesha në Shqipëri në vitin 1993, dhe që atëherë e kam vizituar rregullisht çdo vit.

Ëndrra ime e dytë u realizua dy vjet me vonë, kur arrita të riktheja në tokën shqiptare eshtrat e babit tim Martin, që vdiq në mërgim, duke i bashkuar me ato të xhaxhait tim të mrekullueshëm Mirash. Të dy tani pushojnë në paqe në varrezat e Sharrës, Kombinat, të bashkuar pas vdekjes, ashtu siç ishin edhe në jetë.

Për të bërë realitet ëndrrën time të fundit, që e kam pasur për vite me radhë, u deshën plot 25 vjet; marrja në zotërim e pronave të mia, me bëri të ndeshesha me pengesa të të gjitha llojeve. Në themelet e këtyre pronave doja te krijoja ambiente të përshtatshme për të mundësuar programe, projekte dhe aktivitete në fushën e kulturës dhe të arsimit për të gjithë grup moshat, por në veçanti për gjeneratat e reja. Tani kjo Qendër pasqyron më së miri idealet e Vëllezërve Ivanaj.

Gjithçka që kam përmendur më lart, nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e çmuar të shumë e shumë njerëzve, gjatë gjithë jetës time.

Në veçanti i detyrohem gjithçka mamasë time italiane, Giuseppina Pogliotti, e cila mbajti gjallë brenda meje dashurinë për Shqipërinë, edhe pse mbeti vejushë vetëm pas 8 vitesh martesë. Do të kisha dashur që mamaja ime, e cila sakrifikoi çdo gjë për mua, të ishte e pranishme në këtë mbrëmje historike, por e ndjej që ajo ndodhet midis nesh dhe është e lumtur.

Jam shumë e kënaqur që jeni të pranishëm sonte në ceremoninë e prerjes së shiritit. Lista e njerëzve që duhet të falënderoj është shumë e gjatë. Shtrihet në të dy anët e Atlantikut dhe përshin edhe miq të cilët nuk janë më midis nesh. Ndihem shumë me fat që kam pasur mbështetje morale nga kaq shumë njerëz,  të cilët kanë dhënë shërbimet e tyre vullnetarisht përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre.

Falënderoj së pari shumë miq nga Amerika, të cilët kanë mundësuar mbështetje financiare dhe janë edhe sot e kësaj dite këshilltar të Fondacionit Ivanaj në New York. Gjithashtu jam mirënjohëse ndaj miqve që kam njohur këtu në Shqipëri, dhe atyre që më kanë ndihmuar gjatë këtyre viteve, përshirë këtu së fundmi, sipërmarrësin e kësaj ndërtese, Z. Adrian Hajro, i cili është kujdesur të ndërtojë këtë Kompleks me materialet dhe standardet më të mira dhe cilësore të mundshme.

Megjithatë asnjë nga ne do të ishte këtu sot nëse Dr. Luan dhe Znj. Pertefe Leka nuk do të kishin ardhur të më takonin në New York në vitin 1993. Që atë herë ata më kanë mirëpritur disa herë këtu në Tiranë, gjatë viteve të para të periudhës së vështirë që po kalonte Shqipëria në atë kohë, kur i hapi dyert  botës perëndimore. Ata më ndenjën pranë dhe më ndihmuan përgjatë atyre ditëve kaotike.

Ndihma e tyre ishte vendimtare për të arritur qëllimin tim pas kthimit në Shqipëri, dhe kanë vazhduar të më mbështesin deri më sot.

Zonja Leka është gjithashtu Zv. Presidentja e Institutit të Fondacionit Ivanaj në Tiranë, dhe jam e nderuar që së bashku me bashkëshortin e saj Dr. Luan si dhe pjesëtarët e tjerë të Bordit, janë sonte midis nesh : Znj. Ani Rizo, Z. Rezart Spahia , Znj. Afërdita Prroni, Z. Dhimitraq Rizo, dhe firma jonë e Konsulentëve Ligjorë  pro-bono nga Frost & Fire Consulting, si dhe Zyra e Kontabilitetit të Znj. Edlira Bracellari.

Dua gjithashtu t’ju prezantoj me Stafin tonë, pjesëtarët e rinj dhe energjik të Institucionit, që janë të përkushtuar ndaj qëllimeve tona, të etur për të ofruar eksperiencën e tyre dhe për të mirëmbajtur ambientet, dhe që mezi presin të fillojnë punën me projektet dhe programet që kemi në plan.

Zonja Entela Bodinaku është Asistentja Ekzekutive e Drejtorit (përkohësisht pozicion i mbajtur nga unë).

Ing. Klevis Begaj është Supervizor i Logjistikës dhe Ambienteve.

Zonjusha Jona Siliqi është Asistentja jonë Administrative.

Zonjusha Ani Drishti, është në pozicionin e Recepsionistes.

Dhe Zonja Mimoza Elmazaj që kujdeset për shërbimin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së ambienteve te fondacionit.

Akoma nuk ka përfunduar mobilimi i disa prej zyrave, por siç mund te shihni sonte disa prej këtyre ambienteve janë përdorur për të mirëpritur ekspozitën e piktorit të njohur shqiptar : Anastas Konstantin.

Pjesa tjetër e ambienteve janë tashmë funksionale, si psh:  ambienti i rehatshëm i stafit, dhomat e trajnimeve, biblioteka, si dhe kjo sallë e madhe, e  disponueshme për një shumëllojshmëri eventesh.

Ndërkohë po punojmë për rindërtimin  e faqes tonë të internetit dhe mediave sociale, ku do të postojmë lajme të përditësuara, dhe duke filluar nga viti tjetër do postojmë rregullisht çdo muaj kalendarin e eventeve dhe aktiviteteve. Ju ftojmë te anëtarësoheni, që të mbeteni ne kontakt me planet tona. Nuk kushton gjë, dhe në vijim, mund t’ju surprizojmë!

Së shpejti do ju prezantojmë me disa projekte, ndërkohe jeni të mirëpritur të na vizitoni ose kontaktoni për më shumë informacion apo bashkëpunim.

Jemi duke i dhënë prioritet programeve dhe ideve te reja, për të shtuar në listën e gjatë të gjërave që kemi për të bërë, ndërkohe do vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet dhe organizatat e ndryshme.

Fondacionet Ivanaj në New York dhe Tiranë kanë një mision dhe qëllim të përbashkët dhe një Qendër Kulturore, e cila do bashkëveprojë me :

  1. a) Institucionet publike dhe private
  2. b) Institucione arsimore dhe
  3. c) Organizata jo-fitimprurëse

Fondacioni do të mbështesë :

  1. Të rinj dhe pensionistë
  2. Sipërmarrës të rinj
  3. Kërkues të vendit dhe të huaj
  4. Artistë dhe Intelektualë

Si rrjedhim plani i Qendrës është:

  1. Të mundësojë shërbime unike si :
  • Programe të zhvilluara në një ambient miqësor dhe teknologjikisht të përparuar
  • Mbështetja dhe inkurajimi i ideve të sipërmarrësve te rinj.
  1. Të zhvillojë aktivitete si:
  • Studimi dhe publikimi i materialeve me vlera historike për kulturën.
  • Krijimi i mundësive për zhvillimin e kulturës nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe konferencave.

Ndërkohe edhe duke ofruar programe te reja:

  • Një nisme vullnetarizmi mbarëkombëtare, për të angazhuar dhe trajnuar persona të moshave të ndryshme të cilët do të mund të japin kontributin e tyre edhe organizatave të tjera.
  • Programe për pensionistët për të mbështetur këtë grup moshë paksa të lënë pas dore.
  • Inkubator biznesi për të mbështetur sipërmarrësit e rinj, me ambiente, si dhe këshillim ligjor dhe financiar për krijimin e biznesit të tyre, me ndihmën e partnerëve tanë.

Tani që keni parë ambientet tona, dhe dëgjuar për planet që kemi për të ardhmen, shpresoj të na kontaktoni për të diskutuar projekte bashkëpunimi me interes të përbashkët, sigurisht në fushën e arsimit dhe kulturës, në përputhje me moton tonë, që është e gdhendur në hyrje të Fondacionit në katin e parë.

Mundësova gjithashtu edhe një Pllakë Nderi (përball ashensorit në këtë kat) ku do të gdhenden emrat e gjithë atyre që do të jenë kontributorët tanë më të çmuar në të ardhmen.

Ju falënderoj të gjithëve që ishit të pranishëm sonte për të nderuar familjen time dhe dashurinë e thellë dhe të pashtershme për Shqipërinë.

Uroj të kaloni një mbrëmje sa më të këndshme!

DUKE   PRERË  KËTË  SHIRIT E  DEKLAROJ  FONDACIONIN TË  HAPUR!

 

DRITA IVANAJ

Themeluese & Presidente

Fondacionet Ivanaj, New York & Tiranë

10 tetor 2017

 

Kthehuni te: Përurimi i Qendrës Kulturore