Zonja dhe Zotërinj, të nderuar pjesëmarrës në këtë mbrëmje të veçantë për themeluesit, miqtë dhe dashamirësit e Fondacionit Martin dhe Mirash Ivanaj.

Jam i sigurtë që shumë nga ju dini mjaft detaje për jetën e vëllezërve Ivanaj, emrit e të cilëve mban dhe fondacioni. Të dy juristë (nuk di nëse kjo ishte arsyeja pse Drita më dha nderin mua të hap këtë ceremoni), ata janë figura të nderuara të historisë së Shqipërisë të cilët dhanë kontribut të çmuar në fushën e drejtësisë e të arsimit.  Por nuk është qëllimi im ti bëj historikun e tyre. Atë e kanë bërë dhe do e bëjnë historianët dhe institucionet zyrtare të këtij vendi të cilët i kanë dhënë vëllezërve Ivanaj dhe nderimet më të larta.

Ajo që i bën këta vëllezër më të prekshëm e aktual për mua është kthimi i tyre pas diplomimit në La Sapienza, një nga universitet më të mira të Europës së asaj kohe, në Shqipërinë e varfër e të porsalindur, me dëshirën për të kontribuar në bërjen e saj. Në një kohë kur Shqipëria kishte shumë nevojë për kuadro të kualifikuar në të gjitha fushat, kthimi i vëllezërve Ivanaj pas formimit të tyre intelektual, ndonëse jo unik, gjithsesi ishte i rrallë.  Dhe pothuaj 100 vjet që nga kthimi i tyre në atdhe, kjo vazhdon të jete një teme aktuale.

Duke qenë se jam vetë një ndër ata të paktë që kane zgjedhur të kthehen në Shqipëri pas 15 vitesh arsimim dhe eksperience në Amerike, e kam bindje personale, një bindje që historiku i Dritës dhe familjes Ivanaj veç ma përforcon, që dëshira për kthim dhe për të kontribuar nuk është një dëshirë që lind në vakum.

Është një ndjenje që i ushqehet fëmijëve që në vegjëli nga familja, nga sistemi arsimor gjatë formimit shkollor dhe nga shoqëria në përgjithësi gjate jetës se tyre.  Është një ndjenjë që duhet të ketë qenë aq e forte brenda familjes Ivanaj sa që dhe nëna e saj italiane, megjithëse vejushë shumë e re, e ndjeu si mision të saj t’ia mbajë gjallë shqiptarizmin Dritës së vogël që e la Shqipërinë vetëm 5 vjeçe.  Është kjo ndjenjë që e bëri Dritën që të kontribuoje vazhdimisht dhe pa asnjë shpërblim, përveç atij moral, në çështjen shqiptare, duke qenë pjesë integrale e organizatave të diasporës shqiptare si anëtare e bordit drejtues të Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane, anëtare e bordit drejtues e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (ku e kam njohur edhe unë) si dhe së fundmi si kryetare e fondacionit Martin dhe Mirash Ivanaj.

Është një ndjenjë që buron ndër të tjera nga vetëdija e thellë për nga vijmë e kush jemi dhe krenaria për atë që jemi, me gjithë të metat e të mirat tona. Ndaj, nuk është një rastësi që misioni i Fondacionit Ivanaj është ndër të tjera “ të përhapë njohuri për traditat intelektuale, juridike dhe shkencore të Shqipërisë, të mbajë gjallë edukimin e shqiptarëve për historinë e saj të guximshme dhe të ndihmojë për dokumentimin e saj.”  Është një mision që e mëshiruan dhe e jetësuan vëllezërit Ivanaj me veprimtarinë e tyre dhe që ngelet aktual dhe pas pothuaj 100 vjetësh.

Në një kohë kur kozmopolitanizmi dhe globalizimi janë më të modës, nëse kjo ndjenjë emërtohet “patriotizëm” shihet shpesh me vetullat ngërthyer si anakronizëm. Unë e quaj “respekt për vetveten”.  Dhe janë të paktë njerëzit që njoh që ta respektojnë vetveten, traditën familjare nga ajo vjen, si dhe misionin që mëshiron mbiemri i familjes së saj, më shumë se sa mikesha ime Drita Ivanaj, dhe fondacioni që ajo drejton.

 

REZART SPAHIA

Anëtar Bordi & Këshillues Ligjor

M&M Ivanaj Foundation Institut

Tiranë

10 tetor 2017

 

Kthehuni te: Përurimi i Qendrës Kulturore