Njerëz, sonte u bë një mrekulli, ju jeni dëshmitarë të një ngjarje të madhe që ndodhi sonte në Tiranë, dhe vërtet është emocionale.

Është emocionale jo vetëm për faktin që ngrihet një Fondacion, në Tiranë mund të ngrihen dhe Fondacione të tjera. Kjo zonjë e nderuar është nga një familje shumë e madhe dhe pikërisht ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë me familjet e mëdha shqiptare që i kemi persekutuar, që i kemi vrarë e prerë, por prapë fëmijët e tyre ata i mëkuan me dashurinë për këtë vend.

Drita mund të vinte shumë mirë këtu në Shqipëri, mund të bënte një biznes e të fitonte para, përkundrazi ato që ka mbledhur i hedh në këtë Fondacion dhe kjo është mrekulli. Dhe kjo është mrekullia që ndodh dhe po ndodh gjithmonë me shqiptarët, që në momentet kur ne humbim drejtimin, dalin nga familjet e mëdha, pinjollët e tyre, dalin dhe na japin dorën, pa rrëshqitur në humbëtirën e pafund, pavarësisht se ne u kemi borxh, se u kemi vrarë të parët e tyre, të cilëve nuk u gjenden varret.

Unë do të kërkoja ndjesë në këtë rast sepse po shoqëroj një grup që ka ardhur nga jashtë dhe i çuam tek bunkeri, tek të dy bunkerët, dhe janë habitur, dhe prandaj unë ndjehem sot i mrekulluar pikërisht për këtë ngjarje të madhe, edhe si artist e ndjej që do ndodhi diçka vërtet këtu, po ndodh diçka, dhe ju mos merrni këtë që një artist që po emocionohet për një moment, por unë shoh përtej saj, sepse ky Fondacion, edhe për çka parashtroi znj. Drita këtu, ka një mision të madh. Ka një mision, dhe ne, nëse nuk nisim për të bërë misione të mëdha, për të kryer detyra të mëdha nuk do mundet të zhvillohemi. Do mbetemi kështu duke u zvarritur, dhe këtë ma besoni edhe mua që vij nga një trevë e cila ka shumë halle, që padrejtësisht mbahet e okupuar.

Kjo zonjë vjen nga larg, nga Amerika, dhe ky flamur i bekuar ashtu siç është edhe i joni të dy bashkë na kujtojnë dhe na mbajnë përsëri për të ecur në rrugë të drejtë. Prandaj dhe them që sot është ditë e bekuar dhe mund të më lejoni të bëj një xhest që nuk e kam bërë kurrë në jetën time, i kam puthur dorën vetëm gjyshes time që më ka rritur dhe sot dua t’i puth dorën kësaj gruaje fisnike sepse vërtet xhesti i saj është një bujari që vërtetë është shumë e prekshme dhe unë jo sepse kam një detyrë për momentin në bashki, por e ndjej si artist që këto sipërfaqe të mëdha mund të ishin edhe një herë tjetër e them mund të ishin për biznese, mund të fitonin para pa fund, por znj. Drita i kthen në dobi të të rinjve tanë. Për t’i kthyer shpresat, për t’i kthyer besimin ashtu siç po bëjmë edhe ne në Bashkinë e Tiranës, t’i kthejmë shpresën Tiranës që është një qytet që jetohet mirë, që jetohet bukur, që ka dhe fondacione të cilat mendojnë për rininë, për artin, për kulturën, për të gjithë, për trashëgiminë kulturore dhe besoj që është një sipar i mrekullueshëm sonte dhe ju jeni dëshmitarë, dhe për këtë duhet të jeni krenarë.

Faleminderit dhe më lejoni ta bëj xhestin… Faleminderit

 

ABAZ HADO

zv. Kryetar i Bashkisë Tiranë

10 tetor 2017

 

Kthehuni te: Përurimi i Qendrës Kulturore