Thirrja jonë e fundit për ngritje fondesh ne FB ka kaluar afatin sot, por donacionet për këtë teme dhe çdo program që mund të zhvillojmë ndërsa përparojmë në misionin tonë janë të disponueshme nëpërmjet websitit tonë.

Siç u tregua më parë, ne kemi marrë kontribute për këtë sipërmarrje gjithashtu nëpërmjet GuideStar dhe Network for Good, veçanërisht nga persona të cilët nuk mund të kontribuonin përmes Facebook-ut, ku morëm edhe vlerësime mbi idenë e programit. Megjithëse buxheti i arritur prej $4000, nuk mbulon buxhetin e planifikuar për këtë projekt, falenderojmë përsëri kontributorët aktualë dhe dëshirojmë të njoftojmë të gjithë ndjekësit tanë se jemi në proces implementimi të këtij programi në Tiranë dhe do të ndërmarrim nisma të tjera në të ardhmen për të arritur buxhetin për të.

Këtë javë kishim një seancë parapërgatitore dhe një takim fillestar ndërmjet të moshuarve, për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të përcaktuar se ku janë me përdorimin e teknologjisë. Disa prej tyre e kanë një celular smart ose laptop në shtëpi, ndërsa të tjerë preferojnë të lexojnë libra dhe nuk kanë njohuri mbi këto pajisje. Ata e përballuan me sukses të nxehtin e verës dhe erdhën në ambjentet tona të rehatshme. Ky takim rezultoi të ishte frytdhënës dhe interesant për të gjithë pjesëmarrësit!

Trajnimi i të moshuarve mbi teknologjinë mund t’u japë atyre, sidomos personave me lëvizshmëri të kufizuar, akses në njerëz dhe vende të cilët nuk mund t’i arrijnë fizikisht. Personat më në moshë mund të përfitojnë nga këto mjete inovative që ndihmojnë të menaxhojnë shëndetin mendor, fizik dhe sigurinë, të luftojnë izolimin dhe vetminë, dhe të komunikojnë me të afërmit e tyre, por ideja e të mësuarit mbi këto programe mund të jetë sfiduese. Të moshuarit mund të supozojnë që zhvillimi i njohurive mbi përdorimin e teknologjisë mund të jetë stresues dhe frustrues, por me ndihmën e trajnerëve tanë STC dhe vullnetarëve, ata mund të habiten nga fakti se kurba e të mësuarit është e thjeshtë dhe zbavitëse.

Ne shpresojmë të arrijmë qëllimin tonë për ta bërë më të thjeshtë përdorimin e teknologjisë që mund t’i shërbejë nevojave të tyre.

Progresi ynë do të postohet, si zakonisht, nëpërmjet blog-ut tonë dhe mediave të tjera sociale që përdorim, kështu që, vazhdoni të na ndiqni!