Në kuadër të misionit tonë për të mbështetur idetë e reja inovative dhe sipërmarrësit e rinj në projekte dhe në bashkëpunime të mundshme, Instituti i Fondacionit M&M Ivanaj po prezanton një bashkëpunim unik me Shoqatën e të Rinjve të Kombeve të Bashkuara të Shqipërisë (UNYA) në nismën e tyre MUN Albania 2019.

Dy OJQ-të synojnë të bashkojnë fuqitë e tyre në avancimin e njohurive dhe ekspertizës së të rinjve shqiptarë në ndërtimin e praktikave të suksesshme edukative. Shoqëruar me vlerat tona të përbashkëta, ne jemi shumë të nderuar që në ambjentet tona do zhvillohet konferenca MUN Albania 2019, nga data 4 deri më 8 dhjetor.

MUN Albania është një model frymëzyes arsimor, në të cilin të rinjtë mund të mësojnë më shumë rreth diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Qëllimi është promovimi dhe nxitja e kulturës së multilateralizmit, dialogut, bashkëpunimit ndërkombëtar, në trajtimin e çështjeve themelore dhe zhvillimeve të fundit globale.

Të nxitur nga një qëllim i përbashkët, të dy palët, Fondacioni Ivanaj dhe UNYA Albania kanë për synim të krijojnë  ndryshime pozitive për rininë shqiptare. Ky projekt jep mundësinë e drejtpërdrejtë për të zhvilluar aftësi të tilla si të folurit në publik, negociatat, gjuhët e huaja dhe aftësitë e tjera ndërpersonale.

Ambientet tona funksionale janë thelbësore për të mundësuar takime dhe diskutime të nivelit të lartë me organizata ndërkombëtare. Duke punuar së bashku, shpresojmë të ofrojmë një përvojë të paharrueshme të MUN sidomos për pjesëmarrësit e rinj.