Në 2012, Fondacioni Ivanj i Tiranës u ftua nga Ambasadorët e Mjedisit për t’u bërë partneri i tyre implementues në Konferencën e tyre vjetore  Trajnuese të Lidershipit Rinor. Konferenca u mbajt më 10-12 shkurt në qytetin e Elbasanit. Trajnimi solli së bashku 49 studente nga mbarë vendi për të marrë pjesë në një konferencë 3 ditore me mundësi network-u me ekspertë mjedisor dhe lidera të komunitetit dhe për të qenë pjesë e një hartimi projekti dhe workshop-i menaxhimi. Menaxherja jonë e zhvillimit, Ida Shehu e cila ishte e ftuar të fliste në konferencë , diskutoi mbi atë çfarë do të thoshte lidershipi për të, si u bë një lider-e në komunitetin e saj ndërkohë që jetonte në SH.B.A dhe iu përgjigj shumë pyetjeve që studentët kishin mbi sfidat dhe problemet e hasura nga emigrantët.

Sesionet pjesëmarrëse u drejtuan nga PCV, përfaqësues nga qeveria lokale si dhe nga ekspert mjedisor. Pasi mësuan mbi sfidat mjedisore që ka Shqipëria, pjesëmarrësve iu kërkua të identifikonin shqetësimet më problematike të komunitetit dhe të hartonin projekte që adresonin këto shqetësime. Në fund të trajnimit, secili grup kishte të hartuar një projekt propozim, me qëllime dhe objektiva të shkruara, me një hark kohor të përcaktuar dhe ambjente të identifikuara për të krijuar mbështetje nga komuniteti për projektet e tyre.