Në valën e të gjitha aktiviteteve të mbajtura në ambientet tona këtë muaj, u zhvillua edhe sezoni i 3-të i “Fushatës së Lodrave”, të cilën e konkretizuam ditën e Premte në një ambient të veçantë, duke i dhuruar lodra dhe buzëqeshje fëmijëve në këtë periudhë festash.

Ndërsa më parë kemi dhuruar lodra dhe dhurata për nxënësit në nevojë të shkollave të përzgjedhura, këtë vit vendosëm të shkojmë në një ambient të ri: Spitali Pediatrik i Tiranës.

E bëmë këtë zgjedhje sepse mësuam që, megjithë ndihmat financiare dhe materiale të mbledhura brenda dhe jashtë vendit në përgjigje të dy tërmeteve të fuqishëm në Shqipëri (në Shtator dhe Nëntor), shumë fëmijë të shtruar në spital për arsye të ndryshme, midis të cilëve kishte edhe jetimë, ishin lënë jashtë vëmendjes.

Stafi dhe vullnetarët tanë filluan punën me blerjen e dhuratave të cilat i financova personalisht, më pas i mbështollën dhe ua shpërndanë, sipas informacionit të dhënë nga stafi i spitalit, 40 fëmijëve (me mosha nga disa muajsh, deri në 9 vjeç).

Personeli ynë i IT solli pajisje robotike dhe i mësoi fëmijët t’i përdorin, animatorët që ftuam (Babagjyshi dhe Princesha) sollën muzikë, tullumbace dhe argëtim, ndërsa RTSH, pasi u informua për aktivitetin tonë, na ndoqi gjatë gjithë kohës dhe na mori në intervistë.

Ndërsa jashtë vazhdonte një mot i vrenjtur e me shi, i shoqëruar me trafik kaotik në çdo rrugë të qytetit dhe ambientet ku u vendosëm brenda spitalit ishin të vogla dhe të mbingarkuara, aktiviteti ynë u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë duke i kënaqur të gjithë të pranishmit.

Falë gjithë stafit dhe vullnetarëve që na u bashkuan në këtë fushatë, rezultati nuk ishte thjesht virtual, por plot fytyra të qeshura që shprehnin gëzim dhe lumturi!