Këtë vit, gjatë periudhës së Krishtlindjes, ndërmorëm një iniciativë të re, për t’i dhënë një buzëqeshje fëmijëve në nevojë të një nga shkollave 9-vjeçare në kryeqytet. Megjithëse kjo është një periudhë festash, ka mjaft familje shqiptare që me zi arrijnë të ushqejnë fëmijët e tyre e jo më t’u blejnë lodra dhe dhurata.

Aktualisht, ka shumë organizata bamirëse që bëjnë punë të mrekullueshme për të dhuruar ushqime dhe veshje, dhe përpjekjet e tyre janë për t’u lavdëruar, prandaj menduam se këta fëmijë kanë nevojë edhe për lodra, sidomos në këtë periudhë.

Kështu, si pjesë e punës sonë për bamirësi, jo vetëm meqë jemi Fondacion, sepse çdo individ mund të bëjë bamirësi nëse dëshiron, krijuam iniciativën “Dhuro një lodër, merr një buzëqeshje” në mbështetje të shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Tiranë, për të ndihmuar veçanërisht fëmijët në nevojë.

Na vjen shumë mirë që njerëzit iu përgjigjën thirrjes sonë dhe kontribuuan në mënyra të ndryshme. Kemi marrë donacione monetare nëpërmjet faqes sonë në internet si dhe Cash. Të tjerë sollën lodra të reja ose të përdorura në KUTITE E LODRAVE (TOY BOXES) që ndodheshin pranë Fondacionit dhe pranë supermarketit “Spar” në Rr. Perlat Rexhepi, Tiranë.

Të gjitha kontributet financiare u përdorën për blerjen e lodrave dhe librave për fëmijët e më pas u mbështollën bukur nga stafi ynë i përkushtuar. Në fund, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës, dhuratat iu dorëzuan fëmijëve të cilët kishin përgatitur një koncert të këndshëm për të gjithë.

Falë kësaj iniciative dhe kontributeve që morëm, arritëm të blejmë dhurata për 94 fëmijë në nevojë.

Këtu mund të shikoni foto dhe video nga aktiviteti si dhe një postim nga shkolla “4 Dëshmorët” në faqen e tyre në Facebook.