Një fitore për kulturën dhe historinë shqiptare

Fondacioni Ivanaj” në Tiranë dhe “The Martin and Mirash Ivanaj Foundation” në New York, me kënaqësi njoftojnë hapjen zyrtare të ambienteve të tyre të reja në kryeqytet. Këto ambiente do të ofrojnë një qendër kulturore unike në përputhje me qëllimin dhe misionin e tyre për “Avancimin e edukimit dhe kulturës për të mirën e rinisë shqiptare”.

Ceremonia e hapjes, me të ftuar të veçantë, do të zhvillohet më 10 tetor 2017 nga ora 18:00 deri 20:00, tek Rezidenca Ivanaj, e cila ndodhet në rrugën Perlat Rexhepi, në Tiranën e Re.

Gjatë ceremonisë së organizuar është parashikuar vizitë në ambientet e Fondacionit me vitrina që përmbajnë relike të ndryshme, prezantim me video, koktej, si dhe prerja e shiritit dhe fjalime të shkurtra nga Këshilltari Ligjor, Rezart Spahia, Themeluesja dhe Presidentja e Fondacionit, Drita Ivanaj dhe Zv/Presidentja, Pertefe Leka. Në fund do të ketë muzikë të lehtë instrumentale.

Fondacionet Ivanaj u krijuan nga Drita Ivanaj në kujtim të babait të saj Martin, dhe xhaxhait, Mirash, të cilët ia kushtuan gjithë jetën e tyre përparimit të Shqipërisë, respektivisht në fushën e jurisprudencës dhe atë të edukimit publik shtetëror dhe u bënë shembuj të patriotizmit, integritetit, intelektualizmit dhe besnikërisë duke mbetur si të tillë në memorien e gjeneratave në shtatë dekadat e fundit.

Qendra e re Kulturore Ivanaj, nëpërmjet programeve dhe projekteve të saj të ardhshme, do të bashkëpunojë me sektorin publik dhe privat, institucione të arsimit dhe organizata të tjera, në mbështetje të rinisë dhe të moshave të treta, kërkuesve të vendit dhe të huaj, sipërmarrësve të rinj si dhe artistëve të ndryshëm.

 

Më shumë informacion për aktivitetet dhe historinë e Fondacioneve mund të gjeni në:

Websitin dhe blogun tonë: https://ivanaj-foundations.org

Facebook: https://www.facebook.com/IvanajFoundations

Linkedin: https://www.linkedin.com/company/the-martin-and-mirash-ivanaj-foundation/

Kontakt për mediat: Znj. Entela Bodinaku-Tel: 04-450-2680 EMail: [email protected]